Aktualitet

Greqia mban Kapshticën të bllokuar deri më 26 prill. Tre fazat e hapjes me Shqipërinë nga qershori

Greqia mban Kapshticën të bllokuar deri më 26 prill. Tre fazat e

Shtyhet sërish afati i hapjes së pikës kufitare të Kapshticës. Mësohet se kufiri do jetë i bllokuar deri në datën 26 Prill. Kjo do të thotë se deri në këtë datë nuk lejohen kalimet përmes kësaj pike kufitare drejt territorit grek, ndërsa do të lejohen të gjithë pasagjerët që udhëtojnë nga Greqia për në Shqipëri. Kufiri do të jetë i hapur nga 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve që vijnë nga Greqia.

Njoftimi i Policisë së Kapshticës:

'Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 26.04.2021.

Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.

Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin'.

Ndërkaq nga 14 maji, turistët nga Bashkimi Europian do të lejohen të kalojnë pushimet në Greqi pa pasur nevojë të karantinohen, por me kushtin që të kenë bërë vaksinën ose testin PCR me rezultatin negativ.

Ambasada greke në Tiranë përmes një njoftimi ka sqaruar se hapja e kufirit grek për shqiptarë do ndodhë pas 15 qerrshorit.

-Tre fazat e hapjes me Shqipërinë:

Faza e parë. Deri më 15 qershor.

Kufijtë tokësorë mbeten të mbyllur për qytetarë të vendeve të treta, me përjashtim të atyre nga vendet anëtare të BE dhe të Marrëveshjes Shengen. Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm drejt aeroportit të Athinës. Të gjithë ata që mbërrijnë, pa përjashtim, i nënshtrohen testit për COVID-19 dhe qëndrojnë për një natë në një hotel që u rekomandohet. Nëse testi rezulton negativ, atëherë vizitori i nënshtrohet një vetëkarantinimi shtatëditor. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinës 14 ditore, nën monitorimin e mjekëve.

Faza e dytë. Nga 15 deri 30 qershor.

Mbërritjet përmes kufijve tokësorë nga Shqipëria do të lejohen që prej datës 15 qershor dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen vetëm kontrollit të marrjes së kampionëve gjatë mbërritjes. Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm në drejtim të aeroporteve të Athinës dhe të Selanikut. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti jashtë listës së vendeve të prekura, të Agjensisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëherë do t’i nënshtrohet vetëm marrjes së kampionit gjatë mbërritjes. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti që përfshihet në listën e vendeve të prekura, të hartuar prej Agjensisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëherë i nënshtrohet testimit për COVID-19, gjatë mbërritjes së tij. Kërkohet qëndrimi për një natë në hotel. Nëse testi rezulton negativ, atëherë vizitori vetëizolohet për shtatë ditë. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinimit 14-ditor nën monitorimin e mjekëve.

Faza e tretë. Nga 1 korriku e në vazhdim.

Lejohen fluturimet ndërkombëtare në drejtim të të gjitha aeroporteve të Greqisë. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionit në mbërritje. Mbërritje nga kufijtë detarë do të lejohen që prej 1 korrikut dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionit, në mbërritje.

*Tiranapost.al.