Aktualitet

Greqia mbyll Kapshticën! Vendimi pas zbulimit të skandalit me testet e Covid

Greqia mbyll Kapshticën! Vendimi pas zbulimit të skandalit me testet e

Greqia mbyll nga nesër, 20 nëntor, pikën kufitare të Kapshticës, pas zbulimit të skandalit me organizatën që falsifikonte rezultatet e testeve të Covid.

Testi PCR është i detyrueshëm për të kaluar kufirin grek dhe një linjë e koordinuar personash bënin falsifikimin e rezultateve të tamponëve, përmes të cilëve qytetarët shqiptarë kalonin kufirin edhe me Malin e Zi.

Dogana e Kapshticës do të qëndrojë e mbyllur për një kohë të pacaktuar.

Së fundmi organet greke të sigurisë u vunë në alarm, pas informacioneve të shërbimeve greke të sigurisë, se në zonën e Korçës ekzistojnë laboratorë të cilat falsifikojnë përgjigjet e testeve negative të COVID-19 PCR , që shërbejnë së bashku me formën PFL, për të hyrë në territorin grek.

Skandali u zbulua pasi, dy ditë më parë u arrestuan në territorin grek dy shqiptarë me test të falsifikuar, të cilët u thanë autoriteteve greke se testet i kishin marrë në një agjenci udhëtimi në Korçë, ndërsa me gjasa janë të implikuar edhe policë shqiptare që shërbejnë në këtë pikë kufitare.

Ndërkohë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri përmes një postimi në faqen zyrtare të “Facebook” njofton procedurën për të gjithë të interesuarit që duan të kalojnë në vendin fqinj.

Njoftimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Qeveria greke, përmes Zëdhënësit Qeveritar, Stelios Petsas, ka njoftuar në lidhje me hyrjet në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë, si më poshtë:

Nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavijë. Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.

Qytetarët që do të hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë. Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.

Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur.