Aktualitet

Greva në Rinas, kontrollorët do të zëvendësohen me shqiptarë dhe të huaj

Greva në Rinas, kontrollorët do të zëvendësohen me

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një intervistë të dhënë në emisionin “7pa5” ka informuar publikun se Ministrja balluku është autorizuar nga qeveria për të kryer zëvendësimin e kontrollorëve, kjo për shkak se bllokimi i aktivitetit në aeroportin e Rinasit përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Peleshi ka thënë se pas vendimit të marrë nga Komiteti i Mbrojtjes Civile (në të cilin bëjnë pjesë 3 ministra) është vendosur se zëvendësimi i kontrollorëve do të bëhet nga kontrollorë vendas dhe të huaj në rast se është e nevojshme.

“Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika.

Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës.

Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim,”- ka thënë mes të tjerash ministri Peleshi.

Tiranapost.al