Aktualitet

Grupet e riskut që do të vaksinohen falas dhe të parët për gripin në vjeshtë

Grupet e riskut që do të vaksinohen falas dhe të parët

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP thuhet se po përgatisin strategjinë lidhur me furnizimin me vaksinat e gripit, fillimisht për grupet që janë më të rrezikuara të cilët do vaksinohen falas. 

Situata me pandeminë e koronavirusit nuk dihet se si do të vijojë në vjeshtë, nëse do ketë një valë të dytë më të vështirë ndërkohë që do ketë viruse të tjera në qarkullim me uljen e temperaturave siç është virusi i gripit.

Gjatë një takimi me ministren Manastirliu, shefja e departamentit në ISHP tha se gjatë kësaj kohe është bërë vlerësimi për grupet e riskut të cilët duhet të bëjnë vaksinën e gripit, pasi janë edhe më të prekshëm nga koronavirusi.

 “Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëhkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid19”.

Ndërsa ministrja Ogerta Manastirliu tha se po merren masat për përballimin e situatës vjeshtë-dimër.

“Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina përsa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”.

Ministrja dhe doktoresha Bino po inspektonin pajisjet ftohtëse për ruajtjen e vaksinave në ISHP.

Ndërkaq nuk ka një vendim nëse vaksina e gripit mund të bëhet fal për të tjerët që nuk janë pjesë e grupeve të riskut. Çmimi i një vaksine të gripit në farmaci varion nga 820 lekë në 900 lekë.