Aktualitet

Hap drejt zgjidhjes? Liga i dorëzon Fidel Yllit raportin e plotë për katër kërkesat

Hap drejt zgjidhjes? Liga i dorëzon Fidel Yllit raportin e plotë

Negociatori i çështjes së Ligës së Profesionistëve të cilët kanë pezulluar ndeshjet e kampionatit ka marrë në dorë raportin me katër kërkesat e Ligës, për t’ia dorëzuar më pas ekspertëve të ministrisë së Financave. Më herë Liga nuk pranoi të ulej në tryezë përveçse të ftoheshin në zyrën e kryeministrit për të biseduar për kerkesat e tyre.

Raporti i dorëzuar tek negociatori Fidel Yllli është hartuar nga një grup ekspertësh që ka në fokus ligjin për sponsorizimet, standardet dhe praktikat europiane.

Dokumenti si më poshtë:

Hap drejt zgjidhjes? Liga i dorëzon Fidel Yllit raportin e plotë

 

Duket si një hap pozitiv mes qeverisë dhe Ligës, një ditë pasi ministrja Denaj e pyetur për ngërçin e krijuar tha se katër kerkesat e Ligës janë të pazbatueshme, por theksoi se qeveria është e hapur dhe e mirëpritur për çdo zgjidhje apo ide inteligjente për të rregulluar ligjin për spotin, dhe që Liga ti japë fund bllokimit të nisur që me datë 12 shtator.

Ndërkaq, përfaqësues të Ligës kanë thënë se nuk do të zbresin në fushë nëse kërkesat e tyre nuk pranohen.  

Çfarë kërkohet? 

1.)Të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë:

a.Të ulet TVSH në masën 6%.
b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
d.Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimit për Sportin.

2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.

3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.

4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona.  Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare”.

Çfarë ka thënë kryeministri Rama më herët?

Kryeministri është shprehur i hapur për të negociuar, por sipas tij nuk mund të sakrifikohen taksat që përkthehen në të ardhura për disa klube që futbollistët i deklarojnë me rroga fasonësh.

“Nuk kam asnjë dijeni për kërkesat. Nëse ka dialog ka mundësi për të parë më tutje. Nëse mund të bëjmë diçka më shumë jemi gati ta bëjmë. Por që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër në informalitet të plotë, të marrin rroga më të mëdha se të gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar, të deklarohen sikur janë punonjës fasonesh me rrogë minimale. Kjo nuk mund të vazhdojë.

Kemi krijuar hapësirën që të mund të deklarojnë për një periudhë të caktuar pa paguar tatim fitimi, por aman duke qenë të detyruar të deklarojnë një pagë mbi një nivel të caktuar siç është në të vërtet. Këtë teatër me klube dhe futbollistët që janë skllevër dhe nuk i paguajnë shtetit asgjë dhe janë në të zezë, duhet ta mbarojmë. Kanë bojkotuar kampionatin, është vendimi i tyre, nuk marrin urdhra nga ne dhe nuk mund t’i detyrojmë që të mos e bojkotojnë kampionatin. Nuk jam unë që po shqetësohem se ata po bojkotojnë vetveten. Duan të bojkotojnë vetveten, malet e tyre më të larta”.