Aktualitet

Hapen 6 zyrat e reja aplikimi për dokumente biometrike jashtë Shqipërisë. Ministri Lleshaj thirrje emigrantëve

Hapen 6 zyrat e reja aplikimi për dokumente biometrike jashtë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektoi sot inspektim në zyrën e aplikimit për dokumente biometrike, në Njësinë Administrative nr. 6, Kombinat.

Nga zyra e Aplikimit për dokumente biometrike në njësinë 6 të Kombinatit, ku shkoi për të inspektuar, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi për hapjen e  6 zyrave të reja të aplikimit për dokumente pranë Konsullatës në Bari, Itali, si dhe Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri, në Paris, Francë, në Berlin, Gjermani, në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi.

Ministri ftoi qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto shtete jashtë Shqipërisë, të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë.

Ministri Lleshaj tha: 

Ndërkohë gjej rastin të theksoj se ne po zgjerojmë shërbimet edhe për qytetarët që janë jashtë vendit. Kemi hapur një numër të madh zyrash aplikimi pranë konsullatave tona në shumë vende ku nuk i kemi patur. Janë 6 zyra të reja të hapura. Në të njëjtën kohë gjej rastin të ftoj të gjithë bashkë-atdhetarët tanë të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë, në mënyrë që të bëhen përfitues të shërbimeve të ndryshme në Shqipëri, ku edhe e drejta e votimit do të jetë njëra prej tyre.

Për qytetarët vendas, Lleshaj tha se duhet të aplikojnë që të marrin kartën e re pasi afati po skandon: 

Aq më tepër që po hymë dhe në vitin 2021, që është viti i zgjedhjeve, ku ID karta është kusht për identifikimin e zgjedhësve për marrjen e tyre pjesë në këtë proces. Ndaj i ftoj qytetarët të mos presin minutën e fundit, por të afrohen pranë zyrave të aplikimit, të aplikojnë për sa kushtet janë optimale dhe t’i mundësojnë vetes aksesin, të marrin çelësin e shërbimeve, jo vetëm për identifikimin e përgjithshëm, por dhe një numër të madh shërbimesh që do të ofrohen vetëm kundrejt ID kartës. Sot në kushtet e dixhitalizimit të madh, ne ekzistojmë realisht vetëm kur jemi bërë pjesë e rrjetit. Në rrjet mund të futemi vetëm përmes identitetit tonë që është karta, ndaj e shfrytëzoj dhe njëherë dhe e përsëris këtë thirrje, me qëllim që mos të befasohemi në ditët dhe muajt në vijim.

*Tiranapost.al