Aktualitet

Hapet gara për rrugën Milot-Fier, ministrja Balluku sqaron sa do të jetë pagesa për udhëtarët

Hapet gara për rrugën Milot-Fier, ministrja Balluku sqaron sa do

Hapet gara për rrugën Milot-Fier, ndërsa njoftimi u bë nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë fjalës në Kuvend.

Koncesioni ka një afat 35-vjeçar, ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave është deri më 28 shtator 2020.

Rruga do të jetë me pagesë dhe shkalla e tarifës për kilometra për automjet konsiderohet elementi i tretë i ofertës financiare dhe maksimalisht është lënë në nivelin 00.75 euro/km. Qytetarët që kalojnë në këtë rrugë do të paguajnë vetëm për segmentin ku kalojnë.

“Kjo autostradë do të kushtojë 7.5 euro për 100 km, asnjë lekë më shumë. Autostradat me pagesë janë autostrada europiane të shpejtësisë. Ne përveç rrugëve europiane, ndryshe nga ju do të bëjmë rrugët dytësore të detyruara. Është detyrim i çdo garuesi që të ofertojë për rrugët dytësore që do i bëjë në këtë koston e përgjithshme. Sepse çdo qytetar do të ketë të zgjedhë rrugën me pagesë me shpejtësi nga 90-130 km, ose rrugën pa pagesë një superstradë të mirëfilltë me parametra europianë", tha Balluku.

Po ashu ministrja iu drejtua edhe akuzave të opozitës për projektin:

"Javën e fundit kam dëgjuar vrerin sa i përket projektit. Unë nuk i përgjigjem atyre që nuk i zë gjumi natën pse qeveria po realizon një ëndërr të shqiptarëve prej vitesh. Përse pas lançimit të këtij projekti nuk u hodhën dokumentacionet në APP. E kam ndaluar unë o zëdhënës të qametit sepse ju u turrët në ekrane për të vjellë zift. I gjithë investimi prej 1 mld e 118 mln euro do të bëhet nga privati i cili do të konkurrojë me të tjerët. Konsulentët i kemi nën kontratë prej 4 vitesh.

Zoti është i madh dhe e ka parë Shqipërinë më në fund dhe nuk do vijë më dita që të vini ju. E çmendët këtë popull. Nuk arrij të kuptoj si nuk uluni të punoni për programin tuaj. Jo do merreni me shkatërrimin e asaj që po ndërtojmë ne. Ajo që ne do ndërtojmë, është ëndrra e çdo shqiptari që jeton në viset e veriut dhe dashuron perlat e jugut dhe e anasjellta. Ne do ta ndërtojmë me konsulentët tanë të BE”.