Aktualitet

Hapet tenderi për blerjen e 400 mijë teste koronavirusi të shpejta: Sa do kushtojë?

Hapet tenderi për blerjen e 400 mijë teste koronavirusi të

400 mijë teste të shpejta pritet të blihen me një vlerë totale që shkon në 496 milionë lekë. Ministria e Shëndetësisë ka hapur tenderin për blerjen e tye këtë të mërkurë dhe mësohet se do të mbyllet me datë 18 dhjetor të këtij viti. Afati i kontratës do të jetë 12 muaj. Në njoftimin për tenderin thuhet se:

“Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “Blerje teste diagnostike antigenike të shpejta për SARS-COV-2 për nevoja të NJVKSH-ve” për një periudhë 12 mujore, sipas listës së miratuar nga OBSH” –Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik - ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara - me afat 12 muaj me fond limit 496,000,000 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë milion) lekë pa TVSH”.

Kjo marrëveshje për blerjen e testeve të shpejta do lidhet vetëm me një operator ekonomik, dhe kontratat me kompaninë fituese do lidhen sipas kërkesave te Autoritetit Kontraktor (Ministria e Shëndetësisë), me operatorin që  do të ofrojë çmimin më të ulët në total.

Sipas dokumentit të shpalljes së tenderit, testet e shpejta nuk duhet që të dorëzohen në të njëjtën kohë për çdo tre muaj.

Konkretisht:

Me qellim mbulimin në kohë dhe pa vonesa për sigurimin e testimit te pandërprerë dhe për menaxhimin sa me efikas te nevojave dhe burimeve financiare në dispozicion, sasitë dhe afatet e lëvrimit për periudhën 12 mujore do të jenë:

• 10% e sasisë totale të mallit të lëvrohet brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i kontratës;

• 30% e sasisë totale të mallit të lëvrohet brenda 3 mujorit të parë nga nënshkrimi i kontratës;

• 30% e sasisë totale të mallit të lëvrohet brenda 3 mujorit të dytë nga nënshkrimi i kontratës;

• 30% e sasisë totale të mallit të lëvrohet brenda 3 mujorit tretë nga nënshkrimi i kontratës”.

Testet e shpejta duhet të jenë brenda standardeve, të renditura në listën e OBSH, të garantohet ruajtja afatgjatë me më shumë se një muaj në në temperaturën e dhomës 5 deri në 30 gradë Celsius, si dhe të regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Testet e shpejta japin rezultatin brenda 15-30 minutash.

Po ashtu kërkohet që:

“Testet të kryhet pa shoqërimin dhe pa nevojën e pajisjeve apo analizatorëve shtesë në mënyrë që testi të mund të jetë i disponueshëm dhe rezultatet të lexohen vizualisht pa pajisje shoqëruese në të njëjtën kohë. Testet kryhet me pajisje konsumable të cilat janë njëpërdorimshme dhe plotësisht të lëvizshme. Të mos ketë nevoje për asnjë pajisje shtesë përveç materiale te cilat sigurohen nga kompania prodhuese.  Të përmbajë mostra të kontrollit pozitiv dhe negative Të ketë ndjeshmëri klinike > 90% për SARS-CoV-2 krahasuar me një test referimi molekular. Testi të jetë në paketim të vetëm dhe steril. Skadenca të jetë jo më pak se 6 muaj nga data e lëvrimit te mallit”. 

Për çdo rast apo nevojë të paparashikuar, Ministria e Shëndetësisë mund të lidhë kontratë për test.

Artikulli i referuar nga Report Tv/ Tiranapost.al.