Aktualitet

Hetimet nga SPAK për tenderat/ Reagon Ministria e Shëndetësisë: Nuk kemi fshehur asgjë, ia dorëzuam dosjet

Hetimet nga SPAK për tenderat/ Reagon Ministria e

Ministrinë e Shëndetësisë bën me dije se i ka dërguar dy ditë më parë informacionin që i kishte kërkuar SPAK lidhur me tenderat. Në një njoftim për mediat shkruhet se, të gjitha dokumentet e nevojshme i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme kundër krimit e korrupsionit, ashtu si edhe KLSH-së.

“Jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

Dhjetë ditë më parë SPAK iu drejtua me 5 pyetje Ministrisë, ku kërkonte të dinte:

Çfarë procedure është ndjekur në tenderat e zhvilluar? Çfarë klasifikimi sekret dhe çfarë niveli sekret kanë tenderat e zhvilluara nga ky institucion? Numrin e tenderave të zhvilluar me procedurë sekrete? Sa është vlera e tenderave me procedurë sekrete? Çfarë është blerë me këto tendera?

Reagimi i plotë i Ministrisë

Në vijim të një artikulli të botuar sot në media, informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë.

Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK.

Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë.

Hetimet nga SPAK për tenderat/ Reagon Ministria e

Një ditë më parë, opozita denoncoi se Manastirliu i kishte djegur këto dokumente, ndërsa ministrja tha se “ky pretendim për zjarr imagjinar është i pavërtetë dhe tymi del vetëm nga koka e Bashës”.