Aktualitet

I dënuar në GJKKO, shkarkohet nga detyra gjyqtari Luan Daci

I dënuar në GJKKO, shkarkohet nga detyra gjyqtari Luan Daci

Shkarkohet përfundimisht nga detyra Luan Daci, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Vendimi është marrë sot nga KPA.

"Natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes disiplinore klasifikohet ndër më të rënda dhe e bën të papërshtatshëm për kryerjen e detyrës së gjyqtarit të këtijinstitucioni. Ndaj Kolegji vendosi shkarkimin nga detyra", thuhet në vendimin e KPA.

Ai u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën Gjykatën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA.

Ndërkohë z. Daci u shpreh në një intervistë për News 24 se do ti drejtohet gjykatës së Strasburgut për të gjetur drejtësi dhe se Komisioni i Posaçëm ka shkelur Kushtetutën.

Luan Daci u dënua fillimisht në seancën e zhvilluar më 1 dhjetor me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg.

Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Tiranapost.al