Aktualitet

I ftohti ndryshon një pikë të udhëzuesit anti-Covid për shkollat

I ftohti ndryshon një pikë të udhëzuesit anti-Covid për

Ministria e Arsimit është detyruar të ndryshojë një nga pikat e udhëzuesit anti-Covid për shkolla, për shkak të temperaturave të ulëta.

Klasat nuk janë më të detyruara t`i mbajnë dritaret hapur përgjatë gjithë orës së mësimit. Detyrim është ajrosja e herë pas hershme, 5-6 herë gjatë kohës mësimore. Ulja tejskajshmërisht e temperaturave ditët e fundit çoi në këtë vendim.

Njoftimi i plotë 

Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës.

Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.

Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.