Aktualitet

Tërmeti i 26 Nëntorit, banorët e Durrësit kallëzojnë në SPAK Vangjush Dakon

Tërmeti i 26 Nëntorit, banorët e Durrësit

Banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në lagjen numër 8 në Durrës kanë çuar në SPAK një denoncim ku akuzojnë disa ish-drejtues të bashkisë, mes tyre edhe ish kryebashkiakun Vangjush Dako.

Ata gjithashtu denoncojnë edhe strukturat që kanë lëshuar lejen e ndërtimit të këtij pallati.

Avokati i banorëve, Baftjar Rusi pasi dorëzoi kallëzimin në SPAK tha për “Report Tv” se aty janë denoncuar disa ish-funksionarë të Bashkisë Durrës dhe struktura të subjekteve private që përmes korrupsionit kanë lejuar që një pallat, të cilit iu dha leja vetëm për 10 kate, janë ndërtuar 14 kate si dhe i janë shtuar garazhde.

“Ne kallzojmë ish-strukturat e Bashkisë Durrës, organi kompetent që ka lëshuar lejen në atë kohë për këtë godinë, në mënyrë të veçantë KRT, kryetarin e saj kohe të KRT që drejtoi planifikimin dhe zhvillimin urban, ish-kryetarin e bashkisë, kolauditorin, supervizorin dhe personat që e kanë marrë në dorzim. Edhe pse studioja ligjore në atë kohë nuk e parashikonte më shumë se 7 kate, Bashkia Durrës e ka dhënë lejen për 10 kate dhe pallati është ndërtuar 14 kate, plus garazhe dhe s’ka plinta. Në bindjen tonë këto vepra penale nuk kanë të bëjnë me vepra individuale, por me grup të strukturuar kriminal. SPAK si prokurori kundër korrupsionit duhet të shikojë se në këtë rast shpërdorimi i detyrës është klasik”, tha avokati.