Aktualitet

Sulmi kibernetik, Qeveria deklaratë zyrtare: Mbi 98% e shërbimeve online janë funksionale

Sulmi kibernetik, Qeveria deklaratë zyrtare: Mbi 98% e shërbimeve

Belinda Balluku, në komunikimin e saj të parë publik si zv/kryeministre por edhe pas sulmit kibernetik që paralizoi shërbimet online, ka informuar mbi hapat e ndërmarra nga qeveria dhe komiteti për mbrojtjen kibernetike për rikthimin në normalitet, siç tha ajo, të situatës.

Balluku tha se për këtë është bashkëpunuar ngushtë me kompaninë Microsoft që ka dhënë asistencën teknike, si dhe FBI, apo dhe shërbimeve të tjera inteligjente.

“Shkalla e goditjes ka qenë masive. Lufta kibernetike është padyshim arma e cila po përdoret sot për të gjunjëzuar shtete, kompani apo edhe më gjerësisht”, tha ajo duke shtuar se, gjithçka do mund të bëhet transparente pas hetimit të plotë për të mos patur dezinformim të qytetarëve.

“E rëndësishme është dhe është kjo diçka për tu shënuar, - që, - vetëm në 4 ditë kemi pasur rikthim të më shumë se 98% të shërbimeve dhe një pjesë e mirë e shërbimeve të tjera po rikthehen,” nënvizoi zv/kryeministrja.

Sulmi kibernetik, Qeveria deklaratë zyrtare: Mbi 98% e shërbimeve

Ndërsa drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj, u shpreh se pas 2 javësh shërbimet po i rikthehen normalitetit. “Pas 14 ditësh pune të pandërprerë, ekipi i AKSHI-t, i ekspertëve të kompanive lokale, i partnerëve tanë brenda dhe jashtë vendit, më në fund u bë e mundur që edhe administrata publike t’i rikthehet normalitetit dhe proceseve të punës hap pas hapi,” tha ajo. “Mund të them që mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale,” u shpreh Karçanaj.

Dart Team dhe Microsoft Threat Intelligence Center kanë udhëhequr këtë investigim. “Microsoft do të vazhdojë partneritetin me Republikën e Shqiperisë në menaxhimin e sigurisë kibernetike duke rritur nivelin mbrojtës nga sulme keqdashëse,” u shpreh Kevin Cen, drejtues skuadre në kompaninë Dart.