I zhdukur prej 10 ditësh, makina që biznesmeni italian mori me qira në Rinas gjendet e djegur në Pukë
Prej më shumë se 10 ditësh, biznesmeni italian Davide Pecorelli vijon të jetë i zhdukur. Mediat italiane kanë zbuluar mesazhin e fundit që 45 vjeçari u kishte dërguar punonjësve të tij gjatë Krishlindjeve ku u kishte thënë se do të kthehet në Itali nga data 10 janar dhe që prej këtij mesazhi ai nuk është bërë më i gjallë.
Mësohet se biznesmeni kishe marrë një makinë me qira pasi kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit, por makina është gjendur e djegur në Pukë, dhe brenda janë eshtrat ende të paidentifikuara.
Ai ka udhëtuar nga Tirana në Vlorë, më pas në Shkoder dhe ka qëndruar dy netë në Pukë në hotel Turizmi. Për ngjarjen ka reaguar dhe kryetari i Komunës së San Giustinos, ku jetonte biznesmeni:
‘Ne jemi thellësisht të shqetësuar për zhdukjen e Davide Pecorelli, një sipërmarrës i njohur vendas dhe i njohur gjithashtu për formimin e tij sportiv, me shpresën se kjo ngjarje triller do të zgjidhet pozitivisht. Ne jemi pranë familjes, të cilët nuk kanë dëgjuar më nga Davide për ditë me radhë’.
Biznesmeni mori me qira një makinë të tipit Skoda Fabia, që disa ditë më vonë u gjet e djegur në Gjegjan-Reps të Pukës. Policia e ka regjistruar ngjarjen që me 8 janar. Ndërsa mësohet se brenda makinës janë gjetur dhe sende të biznesmenit.
Davide Pecorelli është sipërmarrës italian, pronar i një hoteli në Lama, si dhe zotëron disa qendra estetike në Sansepolcro dhe disa dyqane në Itali.
Ai kishte hapur në Tiranë një biznes me produkte të lidhura me disa dyqane të tij në Itali. Lidhja e tij me Shqipërinë ka nisur pas njohu partneren nga Shqipëria me të cilën ka edhe një fëmijë.
*Tiranapost.al.