Aktualitet

Investigimi: Ylli Ndroqi dhe lidhjet me elementët terroristë ndërkombëtarë

Trafiku i drogës në Turqi dhe influenca e Ndroqit tek ortakët e vjetër. Çfarë paralajmëruan gazetarët Artan Hoxha dhe Klodiana Lala para një viti për biznesmenin me dy emra

Investigimi: Ylli Ndroqi dhe lidhjet me elementët terroristë

Investigimi i viteve më parë lidhur me të shkuarën e Ylli Ndroqit, teksa SPAK i sekuestronte 26 pasuri, nxori në pah lidhjet e tij të errëta me botën e krimit.

Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) arriti të depërtonte në tregun shqiptar si një biznesmen i mbrojtur falë mbështetjes së fortë politike dhe hapjes së një televizioni që e përdori si mburojë për vite me radhë.

Në fakt, hetimi disa-mujor i SPAK provoi atë që denoncohej për Ndroqin, ku pasuritë e tij u vunë me para të pista, nga trafiku drogës.

Drogë dhe terroristë

Disa emra shfaqen si bashkëpunëtorë trafikantë në vitin e largët 1998. Mes ish-trafikantëve, Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Turgut (Yunus) që u kapën në Turqi me 30.5 kg heroinë, bashkë me Ylli Ndroqin, Abduselam Turgut mbeti mik për kokë me presidentin e “Ora News”.

Kjo pasi influenca e Ndoqit ishte e jashtëzakonshme edhe në vitin 2011 kur turku, i cili kërkohej me ngulm nga Gjermania u la për 40 ditë në arrest shtëpiak nga Gjykata shqiptare me një vendim të dyshimtë të Gjin Gjonit, vendim i cili më pas i dha lirinë.

Por, nëse Ndroqi arrinte të kamuflohej me sukses me mënyrat dhe manitë e tij për të marrë tituj konsujsh në familje e për t’iu shmangur kontrolleve policore, ishte sërish jo më trafikanti, por terroristi Turgut, që doli në publik sërish.

Ishte vetë turku i cili u zbulua në një komplot me celula terroriste iraniane për të kryer sulme terroriste në Shqipëri në ditën e Sulltan Nevruzit.

Investigimi: Ylli Ndroqi dhe lidhjet me elementët terroristë

Ylli Ndroqi dhe Abdulselam Turgut (Yunus) janë arrestuar bashkë në trafikun e drogës prej më shumë se dy dekadave më parë, ndërsa ranë në rrjetën e drejtësisë turke. Pavarësisht arrestimit dhe dënimit, Ylli Ndroqi nuk i është ndarë trafikut të drogës. Në njoftimin e SPAK të 3 gushtit 2020, thuhet se “Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali.

Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë”.

Kujtojmë se edhe gazetarët Klodiana Lala e Artan Hoxha, ishin ata që hodhën në publik faktet e para.

Klodiana Lala gati një vit më parë shkruante për një biznesmen me dy emra që kishte ndërhyrë në këtë vendim.

“Adbulselam Turgut u lirua vite më parë nga Gjykata e Apelit me masën e arrestit shtëpiak, në një kohë që në Shqipëri nuk kishte adresë. Lirinë ja mundësuan miqtë e tij shqiptarë që paguan miliona. Dosja e tij në Policinë e Shtetit u rihap dy vite më parë dhe një portal shkroi për disa detaje. Për këtë shkak u pezullua nga puna edhe një oficere, me dyshimin se zbuloi të dhëna sekrete. Në fakt, nuk ishte ajo që e nxori sekretin. Atë gjë e bëri dikush tjetër. Zhurma u shua shpejt, sepse mesa kuptova sërish ai bosi me dy emra veproi në mënyrën e tij. Tani ky trafikanti na rezulton i përfshirë me rrjet terrori. Te Krimet e Rënda ka një dosje të hershme për këtë. Pyetja është: A po hetohet biznesmeni dhe lidhjet e tij me politikën?”, citonte gazetarja Klodiana Lala.

Ndërsa Artan Hoxha, teksa jepte të dhëna për Turgut zbulonte ndër tjera si nisi hetimi për celulën e drogës në vitin 1998, përmes gjurmimit të një futbollisti me origjinë shqiptare, lajm të cilin e ka pasqyruar edhe gazeta turke Hurriet, ndërsa i ka kushtuar në emisionin Xhungël dikur edhe një investigim ku prek anën tjetër kriminale, atë të terrorizmit islamik:

“Abdulselam Turgut ka qenë nën hetim për trafik droge për qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë. Historia nis që në vitin 1998. Gjatë një operacioni të policisë turke u godit një grup shqiptarësh që merreshin me biznes. U ra në gjurmët e tyre duke u ndjekur një futbollist me origjinë shqiptare, i ikur herët, që u kap me 30 kg heroinë. U arrit të kapet një episod nga policia turke me 190 kg heroinë që ishte porositur në Turqi dhe do vinte në Shqipëri në rrugë tokësore. Roni i Shijakut ka qenë i arrestuar në Shqipëri e Itali për trak heroine. Është i përfshirë në fushata elektorale të forcave politike në Shijak. Krimi nuk ka ngjyrë politike, ka marrë pjesë në fushata të ndryshme..”, deklaronte Hoxha.

Sot Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) edhe pse i zhveshur nga pushteti e pasuria, deklaron, madje dhe kërcënon se do shohim surpriza në vazhdim.

Por edhe pse kanë kaluar ditë nga nga vendimi i SPAK-ut, Ndroqi vetë dhe as mburoja e tij Ora News nuk po sqarojnë/rrëzojnë asnjë të dhënë për emrin Xhemail dhe miqësitë me trafikantët e terroristët. (CNA.al)