Aktualitet

Ish-Presidenti Moisiu: Kjo është porosia që do t`iu lija brezave të ardhshëm

Ish-Presidenti Moisiu: Kjo është porosia që do t`iu lija brezave

Alfred Moisiu, presidenti i fundit konsensual ka folur në podcastin e Ditmir Bushatit, për politikën, por ndoshta më shumë për Shqipërinë.

Moisiu kujton bisedën e parë që shkëmbeu me një gazetar të RTSH në kohën kur sapo ishte bërë president.

“Vjen një gazetar nga RTSH-ja për të më marrë një intervistë dhe më bën një pyetje: zoti Moisiu si ju duket vetja tani që jeni zgjedhur president? Unë qesha dhe i thashë: ‘dëgjo more djalë, unë i kam hipur dhe zbritur kalit disa herë’. Mirë mirë, po president s’ke qenë ndonjëherë, më tha. Po sigurisht president s’kam qenë, i thashë, por njoh shtetin”, tregoi Moisiu.

Vitet bien në sy tek ngadalësia në ritëm, por aspak në mendim. Moisiu shfaqet në stilin e tij popullor e të drejtpërdrejtë teksa kujton se ende ne po vuajmë individin, shoqëria në funksion të tij, madje edhe ligjet për individë.

Ai flet për moshën e tretë, po aq edhe për të rinjtë.

“Ne nuk është se s’kemi rini, nuk është se s’kemi njerëz, por ne vuajmë nga bajraktarizmi. Ende nuk e kemi zhvilluar sa duhet idenë, nevojën dhe përpjekjet për shtetformim. Me thënë të drejtën, rol të rëndësishëm duhet të luajë dhe feja. Media jonë përkundrazi thotë: Gjermania kërkon kështu, Italia kërkon këtë, SHBA-ja kërkon këtë. Në vend që të kemi shembujt e atyre që kanë ardhur, kanë bërë sukses, kanë krijuar fermat, ndërmarrjet e tyre. Ka shumë shembuj për të sjellë këtu dhe flasim për gjërat negative. Se kush i paguan këta njerëz unë nuk e di, por vetëm shqiptarë këta nuk janë”, thotë Moisiu në Public Square.

Çka sheh ai tek fryma e sotme e politikës si problemin më të madh? Po SPAK?

Po të ardhmen e këtij vendi...?

Një moment interesant i intervistës në Public Square është edhe ai kur Moisiu tregon mbi bisedat që shkëmbente me delegacionet që vinin dhe këndvështrimin e tij mbi shtetin shqiptar dhe mënyrën sesi funksionon.

“Kur më zgjodhën, u thashë që ‘unë nuk ndërhyj në punët tuaja, por dhe nuk pranoj ndërhyrje’. Unë do zbatoj Kushtetutën dhe të gjithë ranë dakord.

Por, në fakt ishte një dakordësi sipërfaqësore. Dihet që politika jonë, për fat të keq, ne e rrëzuam sistemin komunist, zgjodhëm sistemin demokratik dhe shumë mirë u bë. Por, mentaliteti nuk është kollaj. Madje, shpeshherë kur vinin delegacione të huaja për bisedime unë u thosha: ‘E shihni këtë ndërtesë? Unë mund ta shkatërroj për një minutë dhe ta ndërtoj prap pas një viti, por, mentaliteti do kohën e vet. Ai nuk është aq kollaj”.

Ish-presidenti Moisiu tregon edhe si janë ditët e tij sot, çfarë regjimi ndjek, me çfarë merret dhe si ia del të ketë një trup dhe mendje të shëndoshë?

I plotë episodi në linkun më poshtë