Aktualitet

Iu hoqëm taksat, i futëm tek paga e luftës: Transporti publik të fillojë punë të hënën ose…

Iu hoqëm taksat, i futëm tek paga e luftës: Transporti publik

'Me kërkesën tonë shoferë e fatorino u përfshinë në pagën e luftës, po ashtu iu hoqëm taksat, tani të fillojnë punë të hënën'

Këtë deklaroi nënkryetari i bashkisë Tiranë, Arbi Mazniku duke paralajmëruar se nëse të hënën nuk fillojnë punën do të gjobiten dhe më pas do u hiqet licenca.

"Ka qenë një bisedë e gjatë me kompanitë, ministrinë e shëndetësisë dhe ISHP si do të bëhej rihapja. Tani ka një vendim për rihapjen prej një jave, por si rrjedhojë e protokollit kompanitë kanë shprehur rezerva, pasi pretendojnë se me aq pak njerëz nuk u funksionon koncepti. Ka një diskutim që jemi gati ta vazhdojmë, por shërbimi i qytetarëve nuk duhet të ndalohet. Në një situatë të tillë secili nga palët duhet të bëjë pjesën e vet, ne kemi bërë disa hapa, ku është marrë një vendim i këshillit, një pjesë e taksave për shërbimin janë hequr, nuk është gjë e thjeshtë. Dhe me kërkesën tonë, të gjithë njerëzit që ishin pjesë e shërbimit të transportit publik, shoferë, faturino u përfshinë të paga e luftës. Por kërkohet që kompanitë të bëjnë pjesën e tyre dhe nuk do të presin të dalin sikur kriza të mos ekzistonte. Transporti duhet të fillojë të hënën, kompanitë që nuk do të fillojnë do të penalizohen në përputhje me ligjin. Nëse dikush nuk ofron shërbimin fillon me gjoba dhe me pas me heqjen e licencave" tha Mazniku në intervistë për Report Tv. 

Protokolli që ka njoftuar për autobusët Ministria e Shëndetësisë është ky:

 

1.        Numri i udhëtarëve do të lejohet me kapacitet 70%.

2.        Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale.

3.        Drejtuesi i mjetit duhet të ketë maskë mbrojtëse dhe doreza.

4.        Udhëtarët detyrimisht me maska dhe doreza.

5.        Hipja dhe zbritja do të bëhet në dyer të ndryshme.

6.        Nëse udhëtari shfaq shenja të Covid-19, shoferi do duhet të njoftojë 127.

7.        Duhen dezinfektuar makinat.

8.        Gjatë udhëtimit duhet ajrosur makina.

9.        Në terminal duhet zbatuar distancimi.

10.     Terminali të dizinfektohet.

11.     Në mjete të vendosen postera kundër përhapjes covid-19.

12.     Të respektohen masat e higjienës.

13.     Masat e parashikuara do të kontrollohen nga kompetencat përkatëse

Kërkesat e Shoqatës janë këto:

1.Heqja e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik.

2.Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100%, për naftën pasi është lënda jonë e parë.

3.Subvencionimin me 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit publik duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.

4.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e tij në nivelet e sektorit të turizmit 6% pasi edhe transporti është një nga hallkat e tij.

5.Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020

6.Të merren masa urgjente nga organet e Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë pas pandemisë.

Ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se janë marrë këto vendime, duke plotësuar dy nga kushtet. 

• Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;

• Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Vetëm linja Ndroq-Tiranë kryen shërbimin aktualisht. Po ashtu transporti në rrethe ka nisur aktivitetin.