Aktualitet

Kapshtica e mbyllur deri me 4 dhjetor për shkak të Covid: Nuk do të lejohet as lëvizja e këmbësorëve

Kapshtica e mbyllur deri me 4 dhjetor për shkak të Covid: Nuk do

Pika kufitare e Kapshticës do të jetë e mbyllur nga dita e sotme deri më 4 dhjetor. Vendimi është marrë nga  autoritetet greke dhe njoftuar nga stacioni i Policisë Kufitare në Kapshticë. Në njoftimin zyrtar thuhet se urdhri vlen për këmbësorët, kamionët, makinat e thjeshta dhe autobusët.

Ditën e djeshme u tha se nga situata e Covid në Greqi me rritje rastesh, por dhe nga skandali i falsifikimit të tamponëve merret vendimi për mbylljen e Doganës, ku nuk lejohet as hyrja dhe as dalja nga kjo doganë.  

"Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi. Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës”, thuhet në njoftimin e policisë kufitare.