Aktualitet

Keni parë lider në botë të bëhet me 5 vila në opozitë?!

Keni parë lider në botë të bëhet me 5 vila në

Drejtuesi politik për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj theksoi nga Rrogozhina se Partia Demokratike e ka humbur Shqipërinë sepse nuk ka bërë asgjë për të, si kur ishte në pushtet, ashtu edhe tani që është në opozitë.

“Keni parë kryetar opozite, në ndonjë vend të botës, të bëhet me 5 vila vitin e fatkeqësisë? Keni parë që vitin e pandemisë këta flasin si të rrisin të ardhurat e tyre. Në opozitë, imagjino këta në pushtet! Kjo është arsyeja pse humbasin në Sinaballë, në Rrogozhinë, në Tiranë, kjo është arsyeja pse e humbasin Shqipërinë. Sepse nuk i kanë lënë vend vetes kur i kanë pasur në dorë, janë provuar dhe stërprovuar dhe sillen në mënyrë aq harbute dhe arrogante në opozitë, sa kurrë mos e dhëntë zoti të jenë në pushtet prapë. Sigurisht që edhe unë kam shtëpi, nuk jetoj poshtë urës. Por ka një diferencë sepse jetoj te e njëjta shtëpi prej 12 vitesh, që nga 2009. Nuk i shtoj vilat çdo vit”, tha Veliaj gjatë një takimi në Rrogozhinë.

Ai vuri në dukje strategjinë për fitoren më 25 prill.

“Ata e kanë ambicien sa një filxhan. Ambicia jonë është shumë herë më e madhe, për transformimin e Shqipërisë dhe të gjithë realiteteve të komuniteteve ku jetojmë. Me këtë ambicie, me këtë energji pozitive, me këtë bashkim, me dyer dhe mendje të hapura dhe për ata demokratë dhe LSI-stë të ndershëm që po na bashkohen, e sigurt që do të fitojmë. PS thotë gjithmonë të vërtetën, edhe kur nuk e ka realizuar një premtim, di të kërkojë ndjesë. Por sot kemi përballë njerëz që nuk dinë të kërkojnë ndjesë as kur s’bëjnë dot një shkollë, as kur shtojnë pesë vila, as kur braktisin çdo kauzë, as kur vrasin njerëz me plumba në mish. Në datë 25 prill ne do të vlerësojmë skuadrën që punon, Edi Ramën dhe PS, për një mandat historik të tretë”, theksoi Veliaj.