Aktualitet

Kërkoi të punonte në privat, por ish-gjyqtari përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet

Kërkoi të punonte në privat, por ish-gjyqtari përjashtohet

Ish gjyqtari Alaudin Malaj përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Ky është vendimi që mori sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vettingut (KPK) për ish-gjyqtarin dhe ish drejtuesin e Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Ai dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në korrikun e vitit të kaluar. Në 15 shtator kërkesa e tij për dorëheqje u pranua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu dhe Roland Ilia vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe përjashtimin e tij.

Pasi dha dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, Malaj tha se do angazhohej në një punë private dhe për këtë, ai kërkoi t’i njihej statusi i magjistratit. Por, kjo kërkesë nuk u pranua dhe për pasojë ish-gjyqtari iu drejtua Komisionit të Pavarur të Apelimit, i cili sot vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për përjashtimin e tij nga sistemi për 15 vitet e ardhshme.

Alaudin Malaj ka një karrierë gati prej tre dekadash në sistemin e drejtësisë dhe para se të dorëhiqej mbante postin e drejtuesit të Gjykatës së Apelit të Tiranës.

*Tiranapost.al.