Aktualitet

KESH: Jemi në një situatë ekstreme, 30% e prurjeve ujore janë shkarkuar

KESH: Jemi në një situatë ekstreme, 30% e prurjeve ujore

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë të ditur sot se situata në kaskadën e Drinit është mjaft delikate për shkak të prurjeve të mëdha si pasojë e reshjeve të dendura që kanë përfshirë sidomos veriun e vendit.

Për këtë arsye sipas KESH po kryhen shkarkime të kontrolluara të ujëmbledhësit. “Referuar situatës hidro-meteorologjike të 24-orëve të fundit në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Kir, Gjadër, Gomsiqe, Drin, informojmë se jemi në një situatë ekstreme të prurjeve ujore për shkak të shirave me intensitet shumë të lartë, të rënë në të gjithë këtë hapësirë gjeografike,” thotë KESH.

“Ndërsa e gjithë sasia ujore arrin në mbi 4,000 m3/sek., nga shkarkuesit fundor të kaskadës nuk ka kaluar në asnjë rast vlera e 1300 m3/sek. Pra nga e gjithë kjo sasi uji e ardhur në liqenet e kaskadës, 30% e kësaj sasie është shkarkuar, ndërsa pjesa tjetër është akumuluar si rezervë energjitike,” shton KESH duke deklaruar se kjo ka ndihmuar në eleminimin dhe minimizimin e përmbytjeve të mundshme të zonës së nënshkodrës.

Prurjet e sotme deri në orën 14:00 janë:

HEC Fierzë 600 m3/s

HEC Koman 1600 m3/s

HEC Vau i Dejës 2400 m3/s.

Nivelet në liqenet e Kaskadës së lumit Drin në orën 14:00 janë:

HEC Fierzë 269.06 mmnd

HEC Koman 174.72 mmnd

HEC Vau i Dejës 75.78 mmnd