Klodeta Gjini, ish-kampionia në atletikë: E hidhur që Shqipëria s’ka sportistët e saj në Lojërat Olimpike
Sot kryeministri Edi Rama priti dy olimpikë që përfaqësuan Shqipërinë në Paris, por që s’janë shqiptarë në origjinë.
Rama doli nga një situatë e sikletshme, duke thënë se nëse dikur Shqipërisë i iknin bijtë, sot ajo adopton.
Ish-kampionia Klodeta Gjini u shpreh për Dritare Tv se adoptimi mund të jetë një alternativë, por Shqipëria nuk mund të përfaqësohet vetëm nga të huajt, duhet edhe nga sportistët e saj.
Klodeta Gjini: Është e hidhur. Unë do të dëshiroja që bashkë me dy atletët e huaj që përfaqësuan Shqipërinë në Lojërat Olimpike të kishte gjithashtu atletë shqiptarë, që ta plotësonin këtë fotografi. Është themelore dhe nëse Shqipëria do të dojë që në të ardhmen të mos përfaqësohet vetëm nga fëmijët e adoptuar, duhet të investoje te fëmijët e saj, te fëmijët e Shqipërisë. Brezi i ri duhet të përgatitet për sport dhe të mos zgjidhet vetëm rruga e shkurtër, e birësimit nga jashtë. Shqipëria duhet të përgatisë e rrisë sportistët e saj. Adoptimi mund të jetë një alternativë, por Shqipëria nuk mund të përfaqësohet vetëm nga të huajt, por nga sportistët e saj.
Mungesa e shqiptarëve në sporte të ndryshme është një dëshmi e mungesës së kushteve për të prodhuar sportistë.
Edhe pse në diktaturë Shqipëria ka pasur më shumë fokus e investim tek sportet dhe zbulimi i talenteve. Edhe skuadra e futbollit është e dominuar nga djem të lindur e rritur jashtë.