Aktualitet

Klosi në Athinë: E drejta e votës tuaj do jetë një realitet i demokracisë shqiptare

Klosi në Athinë: E drejta e votës tuaj do jetë një

Blendi Klosi shoqëronte Ramën në takimin e djeshëm me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Në fjalën e tij pati disa mesazhe për bashkëkombasit, por e nisi me krenarinë për integrimin e çdo shqiptari atje, për ta mbyllur me sigurimin e votës së tyre në distancë.

“Ju vëllezër shqiptarët e Greqisë, jeni pasqyra besnike e asaj që në të vërtetë është populli shqiptar dhe Shqiperia reale, përtej llogoreve të konfliktit politik.

Ju i treguat popullit grek se sa të ndryshëm ishit nga piktura me të cilën ju nxiu balta politike dhe mediatike në vitet 90”, tha Klosi.

Në fund e përmbylli:

“Dhe në fund, dua t’ju them se ne jemi të parët që e kemi dëshiruar përfshirjen tuaj në vendimmarrjen e madhe të zgjedhjes së parlamentit dhe të forcës qeverisëse në Shqipëri, përmes votës tuaj në distancë dhe do të ishim të fundit që do ta braktisnim këtë dëshirë të sinqertë dhe detyrim të patjetërsueshëm ndaj jush.

Prandaj mos dëgjoni sharlatanë që s’kanë asgjë në dorë e që ju shfaqen si profetë nëpër rrugët e Greqisë duke ju premtuar të drejtën e votës. Mos dëgjoni as të paudhë që plaken keq dhe që nuk heqin dorë nga pabesitë e tyre kur ju thonë se Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk duan t’ju japin të drejtën e votës, por kini besim tek e vetmja fuqi shtetbërëse e Shqipërisë dhe tek Kryeministri ynë Edi Rama, i cili thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.

Edi Rama dhe ne që sot qeverisim Shqipërinë e kemi thënë dhe do ta bëjmë edhe të drejtën tuaj të votës, një realitet të demokracisë shqiptare”.