Komandanti i NATO: Po çojmë armë të rënda e trupa në Kosovë! Avionët francezë po monitorojnë ushtrinë serbe
Përballë lëvizjeve shqetësuese të ushtrisë dhe shtetit të Serbisë, NATO ka garantuar mbrojtjen e Kosovës dhe të Bosnje e Hercegovinës. Gjenerali Amerikan, Christopher G. Cavoli, Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, para Senatit të Shteteve të Bashkuara tha se po fuqizohet misioni i KFOR-it në Kosovë dhe ai ALTHEA në Bosnje, me dërgimin e armëve të rënda dhe shtimit të personelit ushtarak. Gjithashtu falenderoi ushtrinë franceze që po monitoron ushtrinë serbe nga ajri.
“Shtetet po tregohen vërtetë bujare, por ne do të vendosim pajisje të rënda në terren, gjithashtu edhe më shumë njerëz. Dëshiroj të falenderoj Francën për ndihmën e madhe. Franca ka vendosur Aeroplanmbajtësjen Charles de Gaulle në det të hapur në Adriatik dhe kohët e fundit ka vendosur një batalion në një dislokim operacional për një afat të mesëm. Pra, ata kanë rritur forcat e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani, siç e kuptoni, sepse këtë javë tensionet janë dukshëm më të larta”, tha Gjenerali Amerikan, Christopher G. Cavoli, Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë.