Aktualitet

Komisioni i Ligjeve votoi: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet

Komisioni i Ligjeve votoi: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet

Në zgjedhjet e ardhshme partitë do të shkojnë para votuesve me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore. Këto dy ndryshime që do të bëhen në Kushtetutën e Shqipërisë u votuan sot me konsensus në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve.

Drafti me propozimet e opozitës parlamentare u miratua sot nen për nen dhe tani do të kalojnë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku për ndryshimet kushtetuese duhen 94 vota.

Sipas ndryshimit, për 2/3 e listës vendosin votuesit, ndërsa 1/3 do të jetë në dorën e vetë subjekteve politike për të garantuar përfaqësimin gjinor. Me hapjen e listave rrjedhimisht ndalohen edhe koalicionet parazgjedhore, pasi kandidatët për deputetë propozohen nga partitë ose zgjedhësit, pra jo më koalicionet.

Kjo i detyron partitë e vogla që të futen në listën e partisë udhëheqëse, sikur ndodhi në 2017, kur kryetarët e partive aleate u përfshinë në listën e PD-së duke shkrirë logot.