Aktualitet

Komisioni për shkarkimin e Metës mbyll hetimin, raporti final publikohet të shtunën!

Komisioni për shkarkimin e Metës mbyll hetimin, raporti final

Hetimi ndaj Presidentit Ilir Metës nga komisioni i ngritur për shkarkimin e tij konsiderohet i mbyllur. Komisioni Hetimor parlamentar zhvilloi sot një mbledhje virtuale, ku kryetari Ulsi Manja bëri me dije se raporti do të paraqitet më 18 korrik, ndërsa mandati i këtij Komisioni përfundon më 31 korrik.

Manja e quajti zyrtarisht të mbyllur hetimin ndaj Metës dhe kërkoi diskutimin e argumenteve dhe 20 provave shkresore për çështjen e ngritur, duke përfshirë edhe dy raportet Venecias.

“Opinion i Venecias është pjesë e dosjes hetimore. Raporti përfundimtar do t’i paraqitet Kuvendit në seancë plenare dhe komisioni pushon së ekzistuari veprimtarinë e tij”, tha në fjalën e tij Manja.

Me prezantimin e detajeve nga raporti, Bashkim Fino u shpreh se nuk është e arsyeshme që diskutohet para se të publikohet.

Komisioni hetimor u miratua në korrik të 2019-s, me një afat 3-mujor, por më pas ky afat u shty disa herë.

Komisioni e akuzon zotin Meta për shkelje të Kushtetutës për shkak të anulimit të dekretit për caktimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhjet vendore dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni përbëhet nga 5 deputetë të shumicës socialiste (Hyseni, Fino, Bushka, Manja, Hysi) dhe 4 deputetë të opozitës (Alimadhi, Zeneli, Valteri, Rryçi).