Kondicioneri në papafingo ishte shkak i zjarrit në pallatin në zonën e ish-parkut
Një ditë më pas, po dalin më shumë informacione për shkaqet e zjarrit me pasoja të rënda në një nga pallatet në kompleksin në zonën e ish-parkut në Tiranë.
Për News 24 Drejtori i Zjarrëfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, tha se nga pamjet filmike dhe verifikimet paraprake, është arritur në konkluzion se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike nga kondicioneri që ndodhej në papafingo dhe më pas është përhapur.
“Nga pamjet dhe nga të gjitha ekspertizat që kemi bërë ditën e sotme, mendojmë që zjarri ka nisur në këtë pjesë të ndërtesës ku ndodhet edhe papafingo. Mendoj se zjarri ka nisur nga kondicionerët, kemi dhe pamjet me video në momentet e fillimit të zjarrit. Sot kemi qenë edhe me drejtuesit e Komisariatit Nr.2, por do të shikojmë edhe videot e tjera nga bizneset aty pranë, për t’u siguruar për vatrën e zjarrit. Me 90 për qind zjarri ka rënë në katin ku ndodhet papafingo, në katin e banesës së djegur”, sqaroi Goxhaj.
Ai tha se pallati ka qenë i pajisur me të gjitha masat e mbrojtjes nga zjarri, si hidrantët dhe pompat.