Aktualitet

Konfindustria pro kazinove: Nëse bllokohen shtigjet për pastrim parash

Konfindustria pro kazinove: Nëse bllokohen shtigjet për pastrim

Ka nxitur jo pak debate vendimi i qeverisë për të miratuar qendrën e Tiranës si zonën ku do të lejohen kazinotë. Qeveria në vendim përcakton një sërë kushtesh që duhet të plotësojnë kompanitë që do licensohen për këtë aktivitet, ndërsa kreu i konfindustrisë Gjergj Buxhaku thotë se ky aktivitet mund të zhvillohet sipas standardeve të BE-së për sa kohë bllokohen të gjitha shtigjet për pastrim parash si dhe të bëhet analiza financiare se sa do përfitohet në buxhetin e shtetit.

Buxhaku thotë:

 “Lëvizje kaq të forta tregojnë se sa e vështirë është klima e biznesit në vend. Nga ana tjetër duhet kuptuar, nëse qeveria ka marrë masat për të parandaluar fenomenin e pastrimit të parave, që në këtë biznes mundësia e prekjes është mjaft e lartë, kudo në botë. Po ashtu duam të dimë se sa do të jenë të ardhurat në buxhet nga rihapja e kësaj kategorie që ka risk të lartë”.

Sipas kreut të Konfindustrisë, kthimi një hap pas i qeverisë për këtë biznes është tregues për goditjen që ka marrë ekonomia nga mbyllja e këtij aktiviteti.

“Nëse realizohen të gjitha kërkesat e përmendura më sipër (të mos lejohet pastrimi i parave, të bëhet bilanci për të ardhurat) atëherë do të jetë një aktivitet i kontrolluar siç në vendet e BE, në momentin që nuk plotëson këto kritere atëherë kthehet në diçka negative. Mbyllja kishte kosto financiare që në fakt në të tillë biznes është me qindra milionë euro më pak në buxhetin e shtetit, dhe duhet arsyetuar se përse u mbyll”.

Sipas shifrave, nga aktiviteti i lojërave të fatit, buxhetit të shtetit i shkonin çdo vit 5.4 miliardë lekë. Aktualisht, sipas ligjit lejohen vetëm kazinotë në hotele me 5 yje dhe resorte.vendimi për mbylljen e tyre u morn ë vitin 2018 duke ulur qepenët për mbi 4,300 pika bastesh sportive dhe kazino elektronike, ndërsa numri i të punësuarve ishte mbi 7000.

Intervista në Report Tv.