Aktualitet

Konfirmohet gripi i shpendëve në Tiranë. Vatra është izoluar

Konfirmohet gripi i shpendëve në Tiranë. Vatra është

Një vatër me gripin e shpendëve (H5N1) është konfirmuar në fshatin Mëzez, në Tiranë.

Lajmin e konfirmon edhe Ministria e Bujqësisë përmes një njoftimi zyrtar.

Vatra është izoluar për parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Njoftimi

Prej ditës së sotme njoftohen fermerët, mbarështuesit e shpendëve të cilësdo lloj specieje, se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz, në zbatim të Urdhrit të Minstrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:

– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla,

– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla

– Moslejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.

Udhëzojmë shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.

Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mos-manipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: [email protected].

Për komunikim publik me konsumatorin, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se situata e garantimit të zinxhirit të sigurisë ushqimore është nën kontroll. Deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore dhe rekomandet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 oC.

Gjithashtu nga ana e MBZHR u bë njoftimi zyrtar i sëmundjes në Sistemin e Informimit për Sëmundjet e Kafshëve të BE-së (ADIS) dhe në sistemin e raportimit të shpërthimit të sëmundjeve (WAHIS) të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) me qëllim njoftimin e sëmundjes në vendet fqinje dhe në Evropë.