Aktualitet

Koronavirusi/ Prindërit, jo nxënësit na shqetësuan dje me hapjen e shkollave

Koronavirusi/ Prindërit, jo nxënësit na shqetësuan dje me

Ditën e djeshme u hapën dyert e shkollave për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe për gjimnazistët, me masa sigurie për shkak të koronavirusit. Por ndoshta ajo që mund të kishte dalë edhe jashtë skenarit të autoriteteve ishin grumbullimet e prindërve në dyert e shkollës, duke rritur rrezikun e infektimit nga koronavirusi dhe përhapjen në masë më të gjerë. Shumë prej tyre u shfaqën pa maska dhe pa ruajtur distancën.

Këtë shqetësim ka ndarë sot Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Jonia Haxhiu. Në një intervistë për Report, ajo ka treguar se dje nxënësit respektuan masat ndërsa prindërit jo.

"Dje ishte dita e parë e shkollës dhe të gjithë vumë re që përtej mureve të shkollës ishte shumë shqetësues, ishte një situatë që në shumicën dërrmuese nuk u respektuan masat. Ishin prindërit që nuk u kujdesën aspak për distancën dhe maskën, gjë që na shqetëson për impaktin që ka te numri. Te shkolla pati një impenjim maksimal për të respektuar masat. Ajo që kemi vënë re është se në familje nuk ka ndodhur informimi, edukimi, biseda me fëmijët lidhur me nevojën e mbajtjes së maskës. Prindërit të bisedojnë me fëmijët, të bëjnë të kuptojnë që është një nevojë. Për prindërit të japin modelin e zbatimit të rregullave, nëse fëmija do e shoh të zbatuar nga prindërit, do jetë më i prirur dhe shkolla do e ketë më të lehtë. Është e rëndësishme që në këtë proces të vështirë, t'i bëjmë thirrje familjeve dhe komunitetit në këtë situatë të vështirë", tha specialistja.

Ndërkaq, sipas ekspertëve mund të duhen 14 ditë që një i infektuar të shfaqë simptomat e koronavirusit. Nëse ka pasur të infektuar nga prindërit që janë grumbulluar më të tjerë, numri i të infektuarve pritet të jetë shqetësues.