Kosova

Kosova nënshkruan zyrtarisht aplikimin për vaksinën kundër Covid

Kosova nënshkruan zyrtarisht aplikimin për vaksinën kundër

Kosova ka nënshkruar sot aplikimin për vaksinën kundër Covid-19 në aleancën globale GAVI-COVAX.

Lajmin e ka bërë të ditur minstri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj përmes një postimi në “Facebook” ku thekson se është nënshkruar marrëveshja me GAVI-COVAX, por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë tjera për të siguruar vaksina shtesë sipas nevojës.

Ai ka bërë të ditur se si synim është që të vaksinohen grupet që janë më të rrezikuara nga koronavirusi, siç janë nëpunësit shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Ndërkohë në 24 orët e fundit, Kosova ka regjistruar 519 raste të reja me Covid-19. Autoritetet e shëndetit në vend njoftojnë po ashtu, se si pasojë e koronavirusit, e kanë humbur jetën 14 persona.

“Kam nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, derisa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, e kemi bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga unë me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine.

Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19.

Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19..., por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor.

Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet”, shruan Zemaj.