Aktualitet

Kritikat për sigurinë në vend, ministri Lleshaj: Duhet rinimi i Policisë

Kritikat për sigurinë në vend, ministri Lleshaj: Duhet rinimi i

Pas kritikave së fundmi lidhur me punën e uniformave blu për menaxhimin e situatës së kriminalitetit, punonjësit e rinj janë për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, një nga zgjidhjet për të garantuar sigurinë në parametrat e duhur.

Ndërsa inspektoi testimin që kryhet në Akademinë e Sigurisë lidhur me pranimet e efektivëve të rinj, ai u shpreh se po zbatohen standarde rigoroze me përzgjedhjen, transparente. Ai theksoi se ajo që nevojitet është rinimi dhe përmirësimi i cilësisë së punonjësve.

“Shihet me kënaqësi që ka një fluks të madh aplikantësh për vendet e hapura rishtazi në Akademinë e Sigurisë. Janë 2004 kandidatë, të cilët garojnë të fitojnë 400 vende të lira. Është për t’u përshëndetur fakti se Akademia po zbaton standarde rigoroze me përzgjedhjen, transparente, të qarta për të gjithë kandidatët dhe është i rëndësishëm të përmendet fakti se me futjen e këtij grupi të ri prej 400 studentësh në Akademinë e Sigurisë ne investojmë përsëri në rinimin e Policisë së Shtetit.

Ky procesi po ndodh në mënyrë intensive prej disa vitesh. Vetëm përmes rinimit të Policisë, vetëm përmes përmirësimit të cilësisë së punonjësve të saj, ne do të arrijmë që ta ngremë Policinë në parametrat që meriton publiku, në parametrat që kërkon siguria e vendit”, tha Lleshaj.