Kryeministri Rama reagon pasi deputetët e PD-së dogjën karriget jashtë kuvendit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për kaosin që ndodhi në seancën e sotme parlamentare, ku deputetët e Partisë Demokratike nxorën karriget e tyre jashtë Kuvendit dhe i vunë flakën.
Në fjalën e tij në takimin që po zhvillohet në selinë e PS me kandidatët për deputetë që kanë aplikuar në platformën “Deputeti që duam”, Rama u tregoi një foto nga skena e djegies së karrigeve në Kuvend.
“Duke ardhur përpara se të dëgjoja fjalët tuaja, më çoi dikush këtë fotografi. Ky është një zjarr, siç e shihni, një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve, të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë për tu ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Pse e solla këtu këtë imazh e solla këtu se dua të them pak fjalë për politikën, e cila kalon ditë jo të mira në perceptimin publik dhe në të vërtetë është një mjet që i ka bërë jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit por edhe katastrofa shumë të mëdha. Refuzimi i politikës apriori si diçka e keqe, e pistë, si diçka me të cilën më mirë mos të ngatërrohesh është foshnjarak. Politika ka fuqinë demoniale që të shkatërrojë. Siç ka fuqinë e jashtëzakonshme të shërojë, ka dhe fuqinë djallëzore të plagosë e sakatojë. Siç ka fuqinë të mbjellë, ka edhe fuqinë të shfarosë. Dhe unë besoj se midis këtyre dy pamjeve qëndron dhe ndarja sot këtu te ne, midis nesh që përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë e mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojnë plagosin, shkulin, djegin”, tha Rama.