Aktualitet

Kryeministri takon Papa Françeskun, por komentuesit shkruajnë pse Vatikani nuk e ka njohur ende Kosovën

Kryeministri takon Papa Françeskun, por komentuesit shkruajnë pse

Kryeministri ndodhet në Vatikan në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë nga Shqipëria. Kryeministri dekoroi me medaljën më të lartë, atë te “Kordonit me yll” kardinalin Petro Parolini.

Ai ka vënë lule te memoriali i Papës shqiptar me emrin Alban, si dhe në fund pati një pritje me Papa Françeskun, me të cilin tha se u fol për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, zbuloi Rama.

Ndërsa në të gjitha postimet bie në sy që komentuesit vënë në dukje faktin që Vatikani s’ka njohur ende Kosovën dhe disa i kërkojnë të mos harrojë porosinë, që i bëri në një letër Hashim Thacci që duhet të kujdeset si për Shqipërinë dhe Kosovën.

Edhe pse në Vatikan Rama ndodhet si Kryeministër i Shqipërisë dhe për një përvjetor që lidh Shqipërinë me Vatikanin.

Sikundër, vlen të kujtohet se sa herë Edi Rama flet për Kosovën, ngrihet nje valë që i thotë "mos e bëj".

Tiranapost.al