Aktualitet

Shqetësimi i kryeprokurorit: Stoku i dosjeve të pezulluara është i lartë

Shqetësimi i kryeprokurorit: Stoku i dosjeve të pezulluara

Kryeprokurori Olsian Çela shprehu shqetësimin për numrin e lartë të dosjeve të pezulluara. Nga Kuvendi ku u pyet nga deputetët për pezullimin e dosjeve të nxehta si ajo e bankierit Artan Santo dhe dosja e të zhdukurit Enver Stafuka Çela tha se nuk mund të flasë për çështje konkrete por shtoi se prokuroria hyn aty ku ka fakte të paraqitura nga Policia e Shtetit:

“Për shkak të kompetencës që ka prokurori, mënyrën si ndërvepron ajo me Policinë e Shtetit, në momentin e pezullimit të një dosje, është në kompetencën e prokurorisë të kryejë veprime në drejtim të zbulimit të autorëve. Prokuroria hyn në këtë fazë, në momentin që Policia e Shtetit paraqet fakte, që ka indicie që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. Ju folët për çështje konkrete, por unë nuk mund të flas për çështje konkrete. Por duhet ta pranojmë që stoku i dosjeve të pezulluara është i lartë”.

Ndërkaq, kryeprokurori shtoi se ka nevojë për rivlerësim të situatës nga Policia e Shtetit:

“Dërgohet dosja e pezulluar për zbulim të autorit. Policia ka veprimtari zbuluese. Në momentin që ka elementë të vlefshëm që mund të çojnë në zbulim të autorit, prokuroria kryen ato hetime procedurale, që janë të pamundura të kryhen nga policia”.