Aktualitet

Kufiri me Greqinë i mbyllur deri me 12 tetor, por kush janë kategoritë që përjashtohen

Kufiri me Greqinë i mbyllur deri me 12 tetor, por kush janë

Qeveria greke vendosi sot që masat kufizuese për të mbajtur kufirin mbyllur me Shqipërinë të zgjaten edhe për 12 ditë, deri me datën 12 tetor. Ndërsa vlen edhe për qytetarët që duan të kalojnë kufirin nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia. 

Ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar të vetmet kategori që lejohen të futen në Greqi deri në datë 12 Tetor pas vendimit të qeverisë greke.  

Përjashtohen nga ndalimi i hyrjes:

– Qytetarët Grekë, poseduesit e lejes së qëndrimit, si dhe persona që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi;

– Kalimi i kamionave për transport mallrash;

– Hyrja e personave për udhëtime profesionale absolutisht të domosdoshme, që e vërtetojnë me dokumentat përkatëse;

– Veçanërisht për rastin e kufijve tokësorë, poseduesit e Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit;

Ministria Sqaron se hyrja në territorin grek apo dhe dalja prej tij, për rastet e referuara më lart, lejohet VETËM nga pikat kufitare të kontrollit të Kakavijës dhe të Kapshticës.

Τë gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin:

– Testin negativ për COVID-19 (me metodën PCR), i kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publikë ose privatë të certifikuara në Shqipëri. (nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët e lindur nga 2011 e tutje)

– Vërtetim diagnoze në anglisht. (në të cilën duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës / numri i kartës së identitetit të individit)

– Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF (Passenger Locator Form), me kodin QR (në adresën elektronike https://travel.gov.gr )

Kjo do të thotë që do të vazhdojë të jetë në fuqi rregulli i mëparshëm që lejohen të kalojnë nga Kapshtica vetëm 300 qytetarë brenda 24 orëve dhe 750 qytetarë nga Kakavija, me test negativ PCR për COVID-19, vërtetim të përkthyer dhe formularin PFL grek.

Vendimi u mor pas rritjes së ndjeshme të numrit të të infektuarve në Greqi.