Aktualitet

Kufomat vendosen në dysheme, IMT sqaron fotot brenda morgut:Është e dhimbshme që autori është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik

Kufomat vendosen në dysheme, IMT sqaron fotot brenda morgut:Është

Disa foto u publikuan sot në media të shkrepura brenda morgut të Tiranës, ku dukeshin kufomat e vendosura në dysheme, që ngritën shqetësimin e qytetarëve. Për këto foto reagon drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali, i cili sqaron se ndryshe nga përshkrimi në media, situata nuk është kaotike, por në pamundësi për t’i vendosur kufomat në mjedise frigoriferike apo në tavolina vendosen me respektin më të madh në dysheme.

“Kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët. Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim!”, shkruhet ndër të tjerash në deklaratën e tij për mediat.

Reagimi i plotë

Në emër të institucionit dhe të stafit tonë, shpreh indinjatën për inskenimin e bërë me fotografitë që janë nxjerrë në media nga mjediset e morgut!

Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.

Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët.

Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim! Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë.

Drejtori

Bledar Xhemali