Aktualitet

Kumbaro pret ministrin grek të mjedisit: E kthejmë lumin e Vjosës në urë bashkëpunimi mes dy vendeve tona

Kumbaro pret ministrin grek të mjedisit: E kthejmë lumin e Vjosës

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro priti në një vizitë zyrtare në Tiranë Ministrin e Mjedisit dhe Energjitikës të Greqisë, Kostandinos Krekas.

Të dy ministrat diskutuan për zonat e përbashkëta të mbrojtura, siç është Parku Kombëtar i Prespës dhe lumi i Vjosës që së fundi u shpall Park Natyror, si edhe sfidat në menaxhimin e mbetjeve.

Ministrja Kumbaro e njohu homologun grek edhe me nismën e fundit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.

Kumbaro pret ministrin grek të mjedisit: E kthejmë lumin e Vjosës

“Nga 1 qershori i këtij viti ndalojmë qeset plastike njëpërdorimshe, me trashësi 70 mikron në secilën anë. Nismat e mëparshme që bazoheshin në aplikimin e një pagese simbolike për qeset nuk kanë rezultuar të suksesshme, ndaj kemi shkuar drejt këtij hapi që është mirëpritur nga qytetarët”, tha gjatë takimit Kumbaro.

Ndalimi i qeseve u vlerësua nga ministri Krekas, i cili tha se diçka e tillë do të merret në konsideratë për t’u aplikuar edhe në Greqi, ku po ashtu shpërndarja e qeseve të lehta mbajtëse përbën një problem mjedisor.

“Aktualisht prodhojmë 5 milionë ton mbetje në vit, prej të cilave riciklohen vetëm 20%. Po angazhohemi që ta rrisim volumin e mbetjeve që riciklohen, pasi duam të reduktojmë sasinë e mbetjeve dhe të orientohemi drejt ekonomisë qarkulluese. Një qasje e tillë ndihmon edhe turizmin e qëndrueshëm, miqësor me mjedisin”, tha Krekas.

Kumbaro pret ministrin grek të mjedisit: E kthejmë lumin e Vjosës

Në vijim të bisedës, ministrja Kumbaro u shpreh gjatë takimit se sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur në 21% dhe po punohet që deri në vitin 2030 të arrihet në 30% të territorit si zonë e mbrojtur.

“Dy prej objektivave kryesorë të këtij mandati të tretë qeverisës janë mjedisi dhe turizmi. Kemi sfidën e menaxhimit të mbetjeve, për të cilën kemi nisur që në tetor një Plan Kombëtar Pastrimi. Njëkohësisht po punojmë për zgjerimin e zonave të mbrojtura. Për herë të parë i dhamë në janar lumit të Vjosës statusin e Parkut Natyror, ashtu siç bëmë edhe me zona të tjera në Shqipëri, duke e rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura nga 17% në 21%. Jemi tërësisht të angazhuar për të plotësuar objektivin e mbrojtjes së 30% të territorit brenda vitit 2030”, u shpreh Mirela Kumbaro.

Të dy ministrat ranë dakord për të pasur një takim tjetër me stafet respektive, në kuadër të planeve të përbashkëta për zonat e mbrojtura ndërkufitare, shkëmbimet e eksperiencave në çështjet e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta në kuadër të nismave globale që lidhen me ndryshimet klimatike.