Aktualitet

Kush duhet t'i paguajë naftëtarët e Ballshit?

Kush duhet t'i paguajë naftëtarët e Ballshit?

U mblodhën sot në Tiranë para ministrisë së Infrastrukturës naftëtarët e Ballshit të cilët kërkojnë mbi pagat e prapambetura. Situata sot kishte dhe momente tensioni mes protestuesve dhe policisë ku për pasojë disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Por kush duhet ti paguajë ata?

Në intervistë për Klan, zv/ ministri i Financave Ilir Bejtja ka thënë se rafineria e Ballshit është një biznes privat dhe jo shtetëror dhe si pasojë duhet ti paguajë kompania private azere me emrin Allum Energy. Bejtja bëri me dije se pagat e prapambetura të naftëtarëve i përkasin periudhës së vitit 2015- 2016.

Rafineria është biznes privat apo shtetëror? Pronë e kujt është?

Zv/ministri i Financave Ilir Bejtja: Të periudhës së vitit 2015, 11 paga dhe 6 paga, në total shkojnë diku tek rreth 15 deri në 17 paga i takojnë 2016-ës (Janar-Korrik). Në total pretendohet 15 deri në 17 paga për të cilat punonjësit në përgjithësi kanë bërë edhe procese gjyqësore për t’i marr ato nga kompanisë ARMO dhe një pjesë e mirë e tyre në dijeninë time nga informacionet që kemi marr nga sindikata në këtë periudhë i kanë fituar mbi 500 gjyqe. Tani duhet vetëm të ndjekin ortakët e ARMO-s që t’i marrin ato para.

I pyetur se pse paratë i kërkojnë nga qeveria, Bejtja përgjigjet:

E dinë ata, qeveria në çdo lloj rasti që në momentin e privatizimit në 2008-ën ka qenë aksionere minoritare, vetëm 15%. Kompania ka qenë në pronësi mbi 85% të AMRA Group dhe TEXAS Refinery të cilët përbëjnë edhe konsorciumin kryesor në momentin e privatizimit. Ky grup e ka operuar uzinën në forma të ndryshme.

Ndërkaq, tre ditë më parë kryeministri Rama takoi në Turqi presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aljev. Ai postoi një foto me presidentin dhe me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku ku kërkonte angazhimin e Aljev për të zgjidhur problemin.

‘Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë’.