Aktualitet

Ky është minatori i bllokuar prej dy ditësh në minierën e Bulqizës

Ky është minatori i bllokuar prej dy ditësh në minierën

Kanë kaluar më shumë se 30 orë nga incidenti në minierën e Bulqizës, ku si pasojë e rënies së një masivi minerali, një punonjës mbeti i bllokuar brenda. Kërkimet për minatorin Muharrem Plaku, 61 vjeç vijojnë, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tij në galeri. Ai po punonte në galerinë në Zonën e Parë të Minierës së Bulqizës kur ra masivi i mineralit.

Aktualisht, po punojnë disa grupë punëtorësh, bashkë me grupe të Avari Shpëtimit, RISHM-it, dhe AKSEM- Agjensia Kombëtare e Sigurisë Minierave, për të gjetur minatorin.

Por sipas tyre nxjerrja mund të kërkojë kohë, për shkak se sasia e mineralit të rënë është shumë e madhe dhe për pasojë ka bllokuar galerinë totalisht.

Disa minatorë kanë treguar se 62 vjeçari i bllokuar është specialist minierash dhe se kur ndodhi aksidenti ai po përgatiste vrimat për të kryer shpërthimin me dinamit sipas rregullave. Një ditë pas ngjarjes shkaqet e shembjes ende nuk dihen.

Çfarë thonë specialistët?

Specialistë të Avari Shpëtimit thonë se është shembur e gjithë zona ose ndonjë nën-kat i plotë, ç’ka do të thotë se shembja është shumë e madhe. Minatorë të vjetër që njohin këto lloj shembjesh shprehen se kjo mund të zgjasë edhe me ditë si proces pastrimi.

Të tjerë minatorë ankohen për kushtet e sigurisë në galeri, dhe se aksidente të tilla në punë nuk janë të pakta. Policia e Bulqizës ndërkohë ka marrë në pyetje administratorin e kompanisë KADURTEX sh.p.k.

*Tiranapost.al.