Aktualitet

Lajmi fake që futi në kaos prindërit për shkollat

Lajmi fake që futi në kaos prindërit për shkollat

Shkollat nuk do të mbyllen. Të paktën deri tani nuk ka asnjë urdhër.

Por një lajm fake ka qarkulluar në median sociale dhe kjo ka mjaftuar për të shkaktuar panik tek pridërit.

Shkresa që qarkullon në media mban datën 15.10.2020 dhe urdhëron mbylljen e institucioneve arsimore publike dhe jo publike më 02.11.2020 për një periudhë 3 mujore.

Por ky urdhër nuk figuron të jetë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Urdhëri qarkullon si fotografi dhe në të vihen re disa gabime, ndërkohë që në asnjë njoftim zyrtar numri i protokollit dhe as data nuk bëhen me shkrim kopjuterik.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë seancës plenare të ditës së enjte 15 tetor 2020 nuk foli në asnjë moment për mbylljen e shkollave pavarsisht se nënvizoi se situata për shkak të pandemisë Covid-19 është serioze dhe duhet trajtuar si e tillë.

“Unë besoj që është situatë serioze. Duhet ta trajtojmë si të tillë. Duhet të jemi të gjithë bashkë kundër këtij virusi të rrezikshëm i cili kërcënon jetën e shqiptarëve”, tha ministrja.

Manastirliu gjithashtu deklaroi se kapacitetet e testimit janë rritur me 3 herë dhe se ndër prioritetet kryesore janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

“Testimet janë rritur me 3 herë krahasuar me muajin Qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Instituit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”, deklaroi Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë e kontaktuar nga "Tirana Porst" ka përgënjeshtruar lajmin dhe ka cilësuar urdhrin që po qarkullon në rrjetet sociale të rremë.

Njoftimi për mbylljen e shkollave është shpëndarë njësoj si mesazhe të tilla më herët për tërmetin dhe autorët e tyre nuk dihen.