Aktualitet

Letra e Metës për Manastirliun, kryeministri: S’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve. Reagon Presidenca

Letra e Metës për Manastirliun, kryeministri: S’ke asnjë

Presidenti Ilir Meta i dërgoi sot një letër ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lidhur me masat e marra ndaj Covid, duke ngritur disa pyetje për të marrë informacion lidhur me kompensimin e familjeve të prekura nga virusi, kapacitetet spitalore, sigurimin e vaksinës apo situatën e testimeve e gjurmimeve të rasteve të reja.

Lidhur me këtë letër ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ishte vënë gjithashtu në dijeni, që me një status në Twitter shkruan se Presidenti nuk ka kompetenca që të hyjë të kërkojë llogari për punën e ekspertëve.

Postimi i plotë:

Ilir ti s'ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s'po bën prej kohësh!

Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit. Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!

Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!

Presidenca reagoi përmes zëdhënësit Tedi Blushi duke publikuar dy nene që tregojnë se kushdo, përfshirë edhe Presidentin ka të drejtë që të kërkojë të dhëna nga ministritë. Ai shkruan më tej se Rama duhet ta lexojë më mirë Kushtetutën dhe se Meta po pret me padurim kthimin e përgjigjes për 11 pyetjet.

Letra e Metës për Manastirliun, kryeministri: S’ke asnjë