Aktualitet

Ligj për referendumet? KQZ jep dritën jeshile

Ligj për referendumet? KQZ jep dritën jeshile

Nisma për një ligj për referendumet, ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një grup nismëtarësht dorëzuan fletën që u miratua nga KQZ dhe tashmë duhet të hedhin firmën mbi 20 mijë qytetarë për tu shprehur pro ligjit, që do të përfshijë referendimin për çështje të ndryshme me rëndësi publike.

Kristaq Kume është një nga nismëtarët i cili thotë se KQZ duhet të marrë parasysh faktin se këto firma do të mblidhen deri me 29 shtator.

‘Në këtë moment qytetarët shqiptarë janë te një draft ligji i cili do të hyjë në procedurat e zakonshme parlamentare. Ne i kemi kërkuar KQZ që në fletën që ai miratoi për ne, të mbajë parasysh faktin që brenda një periudhe 3-mujore, pra deri më 29 shtator ne ti kemi grumbulluar këto firma. Qëllimi ynë është që të kemi një ligj i cili do të jetë efektiv përballë kërkesave të Kushtetutës dhe në plotësimin sa më të mirë të mundshëm të kërkesave të demokracisë së drejpërdrejtë, e cila tek ne është pothuajse inekzistente në funksionimin e saj’.

Ndërsa Erida Skëndaj, Drejtoreshe Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se ky ligj që lejon referendumet është domosdoshmëri.

 “Ai ligj është shumë i nevojshëm dhe thelbësor, por nga ana tjetër që është nuk duhet të hartohet në kushtet e urgjencës. Nëse vërtetë deri tani ne kemi qenë të vonuar në harimin e një ligji të tillë, nuk duhet të shkojmë në efektin e fundit. Sepse të gjitha procedurat duhet të sinkronizohen. 30 vite të demokracisë janë tepër të vonuara për klasën tonë politike të tregojnë mungesën e vullnetit të qartë për hartimin e një nisme të tillë’.

Në Shqipëri, ka pasur 7 nisma për referendum dhe 3 kanë pasur sukses përgjatë viteve. I pari në 1994-ën dhe i fundit në vitit 1998 për ndryshimet Kushtetuese.