Aktualitet

‘Ligjet’ miratojnë projektligjin për Azilin: Çfarë ndryshon nga i mëparshmi?

‘Ligjet’ miratojnë projektligjin për Azilin:

Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin për azilin. Ky projektligj parashikon ndalimin e hyrjes dhe qëndrimit në shtetin shqiptar për të gjithë personat e dënuar, të cilët konsiderohen si me rrezik për të cënuar sigurinë. Sipas Komisionit të Ligjeve, ky projektligj është bërë sipas standardeve europiane për të gjithë azilkërkuesit.

Por pse janë bërë këto ndryshime dhe cilat?

Nga mbledhja e Komisionit relatorja Elena Xhina tha se tek neni ku ndalohen personat e dënuar, duhet të qartësohet se nuk bëhet fjalë për personat që cënojnë sigurinë publike por personat që cënojnë sigurinë e shtetit shqiptar.

Konkretisht: Tek Neni 11, pika 3b, ndryshimi është propozuar për faktin se nuk bëhet fjalë për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, por bëhet fjalë për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë në Republikën e Shqipërisë. Pra, nëse do ta shohim me kujdes si vazhdon fjalia nuk bëhet fjalë fare për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë publike pasi kemi dhe vepra që janë zhurma në mjedis, kemi vepra pafund, ndërsa kur flasim për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë, janë vepra të rënda. Fakti që është hequr ai “minimum 7 vjet” ishte për faktin se kishte vepra që dënoheshin 10 vite e lart, për këto lloj krimesh. Do ta kemi parasysh te komisioni i sigurisë që të gjejmë titullin që i përkojnë kreut të kodit penal që mos kemi probleme të tilla, që të qartësojmë që bëhet fjalë për cënimin e sigurisë së shtetit dhe jo sigurisë publike.

Ndryshe nga ligji ekzistues, është parashikuar afati për shqyrtimin e kërkesës nga struktura përgjegjëse në ministrinë përkatëse për çështjet e azilit dhe refugjatët që, si rregull, zgjasin 6 (gjashtë) muaj nga data e paraqitjes sëkërkesës, rastet e zgjatjes së afatit të cilat bëhen për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh, si dhe është përcaktuar afati maksimal kohor për përfundimin e shqyrtimit të kërkesës që është 21 (njëzet e një) muaj nga paraqitja e tij.

Gjithashtu, është përcaktuar në projektligj kuptimi i persekutimit, si dhe janë përcaktuar aktorët e persekutimit.

Relatorja kërkoi nga grupi i punës i ministrisë së brendshme të bënte një qartësim më korrekt që mund të shqyrtohet në Komisionin e Sigurisë.