Aktualitet

Lindita Nikolla, për dosjen e sigurimit të shtetit: Rast tronditës, Kuvendi duhet të reagojë!

Lindita Nikolla, për dosjen e sigurimit të shtetit: Rast

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla është shprehur se letra dhe dosja që ka mbërritur në adresën e saj, nga Autoriteti i Dosjeve, mbi politikanin e nivelit të lartë, që ka punuar për sigurimin e shtetit, është tronditës.

Nikolla nuk ka përmendur konkretisht emrin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili gjendet në dokumentin e bërë publik nga mediat tashmë.

Nikolla i është referuar rastit me inicialet I.M.

Kryetarja e Kuvendit kërkon reagim të menjëhershëm nga Kuvendi.

Ditën e sotme ajo zhvilloi disa takime radhazi me krerët e grupeve parlamentare, lidhur me këtë rast.

“Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë, me inicialet I.M, i cili ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin.

Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

Dua ta falënderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze”, tha Nikolla.

Dokumenta bashkëngjitur