Aktualitet

Majlinda Perriu emërohet prefekte e Elbasanit

Majlinda Perriu emërohet prefekte e Elbasanit

Këshilli i Ministrave ka vendosur lirimin nga detyra të Spiro Maliqit, dhe në vend të tij është emëruar prefekte e Elbasanit Majlinda Perriu.

Perriu është aktualisht pedagoge në universitetin “Aleksandër Xhuvani, ku jep mësim për disiplinën Histori e Ballkanit, Histori e Sotme e Botës, Kërkim shkencor në Histori. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Sipas DNSH, prefektja e re ka mbrojtur doktoraturën me temë: “Lëvizja Politiko – arsimore në trevën e Elbasanit në vitet 1878 – 1914” në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjikut, në departamentin e Historisë. Në vitin 2016 ka marrë titullin shkencor “Profesore e Asociuar”.

Periudha e studimit përfshin historinë e Shqipërisë dhe të trevës së Elbasanit përmes shfrytëzimit të burimeve austro – hungareze, britanike, italiane, osmane të/dhe pabotuara për periudhën fundi i shek. XIX fillimi i Shek.XX dhe veçanërisht për periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të Elbasanit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Spiro Maliqi, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Znj. Majlinda Perriu emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Tiranapost.al