Aktualitet

Makerspace Korçë, një hapësirë e krijimit e lirë për komunitetin

Makerspace Korçë, një hapësirë e krijimit e lirë

Në kuadrin e projektit “Phygital”, në qytetin e Korçës është hapur e para dhe e vetmja hapësirë krijuese “Makerspace”, kushtuar punës së artizanatit dhe sipërmarrësve në këtë fushë, si dhe të gjithë individëve të interesuar në krijimtarinë tradicionale dhe në teknologjitë inovative të prodhimit.

Hapësira e Makerspace, ofron pajisjet e teknologjisë së fundit dhe hapësirën ku krijuesit mund të trajnohen dhe më pas të prodhojnë objekte artizanale, duke përdorur teknologji inovative si printerat dhe skanerat 3D.

Projekti “Phygital”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i implementuar në Shqipëri nga Fondacioni HEC, është një projekt që synon integrimin e teknologjisë dhe modeleve të suksesshme të biznesit në fushën e artizanatit. Konkretisht, objektivi i hapësirës krijuese Makerspace është që të shërbejë si një qendër ku komuniteti i artizanatit, por edhe njerëz të tjerë të interesuar për fushën do të mund të ekspolorojnë teknologjitë e reja të prodhimit dhe t’i përshtatin ato për sipërmarrjet e tyre, në mënyrë që të jenë sa më konkurues në një botë gjithnjë dhe më globale dhe gjithnjë dhe më tepër të dixhitalizuar.

Brenda kësaj hapësire, studentët dhe profesionistët e artizanatit do të mund të prodhojnë objektet e tyre, jo vetëm me metodat tradicionale që konsumonin shumë kohë dhe e bënin prodhimin në masë tejet të vështirë, por kryesisht, me anë të software-ve dhe pajisjeve të fjalës së fundit të teknologjisë, që me më pak kosto dhe në formë ekologjike, pa ndotje eksesive për mjedisin, do të sigurojë një prodhim cilësor, që do u lejojë këtyre sipërmarrjeve të vazhdojnë të operojnë dhe të kenë konkurrueshmëri edhe në epokën e re dixhitale.

Në makerspace, anëtarët e komunitetit, si dhe të gjithë profesionistët do të mund të krijojnë objekte tre dimensionale mes përdorimit të ‘3d Scanner’ dhe ‘3d Printer’, të bëjnë gdhendje në dru dhe në plastikë të figurave që përdoren për suvenir, dhurata të personalizuara, të krijojnë aksesorë dhe veshje të personalizuara dhe gjenerike, të krijojnë objekte dhe ornamente eklisiastike, si dhe të përdorin pajisjet në mënyra dhe forma inovative, që do të mund t’i zbulojnë edhe ata vetë gjatë punës së tyre në Makerspace.

Projekti ndër-rajonal i BE-së “Phygital”, që operon me moton “dizenjo globalisht, prodho lokalisht”, ka si target group, profesionistët e lirë, bizneset e vogla dhe të mesme si edhe sipërmarrjet e vogla të sektorit të artizanatit, por natyrisht do të shërbejë dhe si një hapësirë ku do të mund të venë në jetë idetë e tyre inovative, njerëz nga i gjithë publiku. Vlera e shtuar e këtij projekti që do të implementohet në Shqipëri nga HEC Foundation, qëndron në mbështetjen e vazhdueshme që do u ofrohet sipërmarrësve në një botë gjithnjë dhe më globale, ku inovacioni është më i rëndësishëm se kurrë për konkurrueshmërinë dhe mbijetësën e sipërmarrjeve, veçanërisht atyre të vogla dhe lokale.