Aktualitet

Mandati i Fredi Belerit shpallet i pavlefshëm nga KQZ

Mandati i Fredi Belerit shpallet i pavlefshëm nga KQZ

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi njoftoi gjatë mbledhjes së KQZ të mbajtur këtë të premte heqjen e mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.

Vendimi i KQZ për Belerin vjen pas dënimit të tij nga Apeli i Posaçëm me 2 vite burg për blerje votash. Në mbledhjen ishte i pranishëm edhe vetë Beleri i cili u shpreh: Këtë lejen që mora për të ardhur këtu, mund ta merrja për të bërë betimin tim. Ata që vendosën dhunimin e bashkisë së Himarës dhe qytetarëve duhet të vazhdojnë deri në fund, pasi unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë, ashtu siç thotë ligji dhe kushtetuta. Jam i qartë dhe unë që mandati si kryetar i bashkisë ka mbaruar, por unë flas sepse këta duan t’i bëjnë zgjedhjet kur të duan. Në një periudhë kur e gjithë bota bën pushime në mes të gushtit në Himarë, edhe është muaji kur nxjerrin të ardhura për të gjithë vitin. Pse duhen bërë zgjedhjet në këtë periudhë?

Me heqjen e mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, duket se Himara do të shkojë sërish në zgjedhje në muajin në vijim.

Fjala e Celibashit:Me bindje të plotë unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të Bashkisë Himarë, nga Fredi Beleri. E shpall të pavlefshëm këtë mandat. Për rastin kur kandidon ligji i dekriminalizimit është i qartë, ku komepetenca e KQZ është e qartë që e ndalon të kandidojë.

Diskutimi ngelet nëse një person i cili e ka marrë këtë funksion publik dhe gjatë ushtrimit të detyrës kryen një vepër penale dhe merr dënimin diskutimi është a aplikohet ligji i dekriminalizimit apo jo. Nuk është çështje e KQZ se çfarë bëjnë Kryeministri dhe instutucionet e tjera për këtë rast, vendimarrja jonë nuk është e kushtëzuar nga çfarë vendimesh marrin këto institucione.

Situata është që kemi një kryetar bashkie të zgjedhur, i cili nuk ka mundur ta ushtrojë funksionin nga rrethanat që i dimë, edhe pse KQZ i dha mandatin. Kjo për KQZ nuk ka rëndësi në funksion të ligjit pasi mund të ishte dhe në rastin që mund të ishte në krye të detyrës.

Pyetja është a ka kompoetencë KQZ në bazë të ligjit të dekrimanilizimit për të zhvleftësuar një mandat të një subjekti që është dënuar gjatë detyrës me një vendim penal të formës së prerë.

Unë jam i bindur se po dhe këtij ligji i nënshtrohen më shumë akoma ata të cilët e kanë marrë detyrën. Ky ligj nuk të lejon ta marrësh detyrën, aq më tepër kur gjatë detyrës merr një dënim të formës së prerë.