Aktualitet

Masakra e Srebrenicës dhe si (nuk) duhet bërë pajtimi me të kaluarën e luftës

Masakra e Srebrenicës dhe si (nuk) duhet bërë pajtimi me të

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati poston një shënim në 25-vjetorin e masakrës së Srebrenicës (masakra e serbëve ndaj myslimanëve boshnjakë). Po qëndrimi i ish-ministrit nuk është vetëm në këtë ngjarje dhe thjesht si histori. Mes rreshtave flet edhe për debatin më të gjallë dhe delikat sot në Kosovë, për krimet e luftës dhe pretendimet e prokurorit pranë Gjykatës Speciale që ngre akuza për Hashin Thaçin, Kadri Veselin dhe personalitete ish-drejtues kryesor të UÇK-së. Ka pasur disa teza muajt e fundit përfshi këtu edhe ato për aminstitë e krimeve të luftës, që nuk janë pritur mirë nga kosovarët që kanë qenë viktima dhe jo xhelati.

Ish-ministri i Jashtëm shkruan ndër të tjera: “Kultura mbizotëruese e mohimit dhe revizionimit të historisë, tendencat për të vendosur shenja barazimi mes xhelatëve dhe viktimave, shoqëruar me tentativat për marrëveshje për amnestimin e krimeve të luftës, shkojnë në drejtim të kundërt me ndërtimin e paqes së qëndrueshme, procesin e pajtimit dhe rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor”.

Masakra e Srebrenicës dhe si (nuk) duhet bërë pajtimi me të

Statusi i plotë:

25 vjet më parë bota u bë dëshmitare e një mizorie të turpshme e të paparë në tokën europiane, që prej Luftës së Dytë Botërore. 8372 boshnjakë humbën jetën në Srebrenicë, si rezultat i fushatës genocidiste të forcave serbe.

Në këtë ditë reflektimi, nderojmë kujtimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë, por edhe viktimat e tjera që i janë nënshtruar mizorive masive, për shkak të identitetit të tyre.

Kultura mbizotëruese e mohimit dhe revizionimit të historisë, tendencat për të vendosur shenja barazimi mes xhelatëve dhe viktimave, shoqëruar me tentativat për marrëveshje për amnestimin e krimeve të luftës, shkojnë në drejtim të kundërt me ndërtimin e paqes së qëndrueshme, procesin e pajtimit dhe rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Pajtimi në epokën e pasluftës kërkon respekt dhe ndjeshmëri për të kaluarën, të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Kjo është e vetmja garanci për mospërsëritjen e mizorive të së kaluarës dhe ndërtimit të shoqërive paqësore, gjithpërfshirëse dhe të drejta.