Aktualitet

Maska bëhet me detyrim në Shqipëri: Gjobitet kush nuk e vendos në ambientet e mbyllura!

Maska bëhet me detyrim në Shqipëri: Gjobitet kush nuk e vendos

Maskat do të bëhen të detyrueshme në ambientet e mbyllura për të gjithë qytetarët. Kështu bëri me dije ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në qendrën shëndetësore nr. 8 në Tiranë, ku tha se personat që nuk do ta zbatojnë këtë rregull në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, do të penalizohen me gjobë.

“Me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve kemi vendosur që maskat/barrierat mbrojtëse, ashtu siç i kemi përcaktuar të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura. Do të jetë një përgjegjësi më shumë e të gjithë qytetarëve, për të mbajtur barrierat mbrojtëse, kudo në ambientet e mbyllura. Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen. Nëse e vendosim të gjithë, ajo përkthehet në një armë mbrojtëse për mospërhapjen e këtij indeksoni”, tha Manastirliu.

Tarifa e gjobës që do të paguajnë ata që nuk e zbatojnë këtë rregull do të përcaktohet me aktin normativ.